Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video në profilin e tij zyrtar në “Twitter” në të cilën përshkruhet se si ka ndodhur rrëmbimi i policëve kufitar të Kosovës nga forcat serbe.
Sveçla ka thënë se rrëmbimi ka qenë i planifikuar dhe se një gjë e tillë është vepër kriminale.
Ai thotë se në video tregohet se si forcat serbe me urdhër të presidentit serb Vuçiq kanë rrëmbyer tre policët e Kosovës thellë brenda territorit të Kosovës, 1 kilometër brenda.
Ai ak thënë se Serbia duhet të ndalojë fushatën e dezinformimit dhe të lirojë tre policët e Kosovës menjëherë.
“Një rrëmbim i planifikuar. Një vepër kriminale. Videoja e mëposhtme tregon se si forcat serbe, me urdhër të drejtpërdrejtë të Vuçiqit, rrëmbyen zyrtarët tanë të PK-së, thellë në territorin e Republikës së Kosovës. Saktësisht 1 km larg kufirit. Serbia duhet të ndalojë dezinformimin dhe të lirojë oficerët tanë tani”, ka shkruar Sveçla.