BotaLajme

Kremlini: Nuk ka bazë për zgjatjen e marrëveshjes për drithëra

Kremlini ritheksoi më 21 qershor qëndrimin se nuk ka “asnjë bazë” për zgjatjen e marrëveshjes së Detit të Zi për drithëra, duke thënë se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) nuk po zbatohej siç duhet.

Në një telefonatë me gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se OKB-ja ishte detyruar ta pranonte se “për fat të keq, ata nuk po arrijnë ta ushtrojnë ndikimin e nevojshëm te vendet e Perëndimit për ta përmbushur pjesën ruse të marrëveshjes”.

Ai i referohej një liste kërkesash të Rusisë, përfshirë heqjen e atyre që Moska thotë se janë pengesa për eksportin e drithit dhe plehrave të saj.

E negociuar në korrik të vitit të kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, marrëveshja ka mundësuar një korridor të sigurt për dërgesat me drithëra ukrainase, që transportohen nga portet në Detin e Zi. Këto porte, paraprakisht kishin qenë të bllokuara për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Rusia kishte rënë dakord në maj për një zgjatje dy-mujore të kësaj marrëveshjeje, por ka thënë se Iniciativa do të ndërpritet nëse nuk përmbushet një marrëveshje për eksportet ruse të grurit dhe plehrave.

Edhe në fillim të këtij muaji, Ukraina akuzoi Rusia se po e pamundëson zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke bllokuar regjistrimin e anijeve në të gjitha portet e Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se që nga mesi i prillit, Rusia ka “kufizuar në mënyrë të paarsyeshme” zbatimin e marrëveshjes së grurit.

Në prill, Rusia kishte paralajmëruar se Moska kërkon zbatimin e disa kushteve të saj për zgjatjen e mëtejshme të marrëveshjes. /REL

Show More

Related Articles

Back to top button