Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka bërë të ditur se shkëmbimet nga të dyja anët janë të bllokuara në një shumë prej rreth 70 milionë euro, duke përfshirë paratë e parapaguara për produkte të bizneseve të Kosovës në Serbi.
Në bazë të kësaj llogaritje, kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara dhe janë të parapaguara me kompanitë serbe arrin vlerën rreth 30 milionë euro. Këto para janë investuar në lëndë të parë dhe produkte të gatshme që janë në pritje të hyrjes në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, sipas tij, bizneset e Kosovës kanë borxhe mbi 40 milionë euro në Serbi, të cilat transaksionet bankare ende nuk janë të ndaluara.
“Sipas një hulumtim që Aleanca ka bërë në shtatë ditët e para kanë qenë rreth 30 milionë euro të parapaguara në Serbi, pra të produkteve të ndryshme të bizneseve të Kosovës, qoftë lëndë e parë, apo të gatshme. Por njëkohësisht gjëja që është vërtetuar këto ditëve të fundit po ashtu edhe kosovarët kanë borxhe në Serbi, për të cilat transaksionet bankare nuk janë të ndaluara. Pra kanë borxhe mbi 40 milionë euro, dhe kjo është një vlerë tejet e lartë”, ka thënë Shahini.
Kryetari i AKB-së ka theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike për të tejkaluar këtë problem.
Ai ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për të lejuar hyrjen e mallrave të ngarkuara në Serbi ose kthimin e tyre prapa, për të shmangur dëmet që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta në kufi.
Ndryshe nga Shahini, Zeka, ka theksuar se veprimet politike nuk duhet të kenë ndikim negativ në aktivitetin ekonomik dhe sipas tij, barrierat e krijuara që kufizojnë aktivitetin ekonomik bien ndesh me frymën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të promovuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe vendet e rajonit.
Sipas Zekës, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në eliminimin e dallimeve që pengojnë bashkëpunimin dhe të promovojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.
Ai ka vlerësuar se ky është një kusht paraprak për procesin e integrimit në BE.
Gjithashtu, Shahini ka shprehur besimin se dialogu në Bruksel midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, do të çojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe në normalizimin e shkëmbimeve tregtare në mes të dy vendeve.
Dukagjini ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me afatin e vendimit për ndalimin e hyrjes së mallrave me origjinë serbe në Kosovë. Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës e kishte vlerësuar vendimin e ndaljes së kamionëve si një masë të nevojshme për garantimin e sigurisë së territorit të vendit.