
Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës, që ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor.
Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi ishin arrestuar më 14 qershor.
Policia, derisa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe, kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.
Arrestimi i tre policëve kishte nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.
Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.