BotaLajme

Rusia kërkon qetësinë pas dështimit të rebelimit, hiqen kufizimet për qytetarët

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu u shfaq për herë të parë në publik pas rebelimit të armatosur të mercenarëve “Wagner”. Ai vizitoi trupat ruse në Ukrainë, duke dhënë mesazhin se është ende në krye të detyrës.

Në një video të publikuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, Shoigu u shfaq duke fluturuar me një aeroplan ushtarak dhe duke dëgjuar raportimin për gjendjen në front. Megjithatë mbetet e paqartë se kur është xhiruar kjo video dhe se kur është zhvilluar vizita e ministrit.

Gjatë kryengritjes së armatosur kreu i Wagner Yevgeny Prigozhin pasi mori kontrollin e komandës ushtarake jugore të Rusisë në qyteitn Rostov, kërkoi shkarkimin e ministrit Shoigu dhe shefit të shtabit Valery Gerasimov.

Aleatët perëndimorë vijojnë të monitorojnë zhvillimet brenda Rusisë. Për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, rebelimi i grupit mercenar “Wagner” në fundjavë tregoi edhe një herë shkallën e gabimit strategjik të Kremlinit me luftën kundër Ukrainës.

“Ngjarjet e fundjavës janë një çështje e brendshme ruse dhe një tjetër demonstrim i gabimit të madh strategjik që Putini bëri me aneksimin e tij të paligjshëm të Krimesë dhe luftën kundër Ukrainës. Nga ana tjetër ne nuk shohim asnjë tregues se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, por NATO mbetet vigjilente.”

Gjithashtu edhe Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë deklaruar se rebelimi në Rusi tregoi se lufta e Moskës në Ukrainë po shkakton paqëndrueshmëri të brendshme dhe po minon fuqinë e saj ushtarake.

“Përbindëshi që krijoi Putini, Wagner, rezultoi përbindëshi që po e kafshon. Përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij. Sistemi politik po tregon brishtësinë e tij dhe fuqia ushtarake po çahet. Pra, kjo ka një pasojë të madhe në luftën kundër Ukrainës, ndaj ky është momenti që vazhdojmë ta mbështesim atë.”

Në disa rajone të Rusisë janë hequr masat e zbatuara për shkak të rebelimit të grupit “Wagner” kundër qeverisë ruse. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin njoftoi heqjen e masave të vendosura në kryeqytet për shkak të rebelimit të grupit “Wagner” ndaj qeverisë ruse më 24 Qershor. Sobyanin është shprehur se më 1 Korrik do të mbahet ceremonia e diplomimit e cila u anulua për shkak të zhvillimeve. Në një deklaratë nga Komiteti i Rusisë për Luftën Anti-Terrorrizëm thuhet se janë hequr masat e marra në rajonin e Moskës.

Show More

Related Articles

Back to top button