Një nga ëmbëlsuesit artificialë më të zakonshëm në botë do të shpallet kancerogjen muajin e ardhshëm nga OBSH, sipas dy burimeve me njohuri mbi procesin, raporton Reuters.
Kjo do të trondisë fort industrinë ushqimore, e cila e përdor gjerësisht këtë lloj ëmbëlsuesi.
Aspartame, e përdorur në produkte të ndryshme, nga pijet e gazuara dietike Coca-Cola deri te çamçakëzët Extra të Mars dhe disa pije Snapple, do të klasifikohet në korrik si “kancerogjen për njerëzit” për herë të parë nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC), pjesë e OBSH-së, por që merret kryesisht me kërkimet për kancerin, raporton Reuters, përcjell AlbEu.com.
Vendimi i IARC, i finalizuar në fillim të këtij muaji pas një takimi të ekspertëve të jashtëm të grupit, synon të vlerësojë nëse ky produkt është një rrezik i mundshëm apo jo, bazuar në të gjitha provat e publikuara.
Kategorizimi si “kancerogjen” nuk merr pastaj parasysh nëse konsumohet pak apo shumë nga ky ëmbëlsues pasi cilësohet i rrezikshëm në çdo sasi.
Vendime të ngjashme të IARC në të kaluarën për substanca të ndryshme kanë ngritur shqetësime tek konsumatorët për përdorimin e tyre duke çuar në padi dhe presion ndaj prodhuesve që të rikrijojnë receta alternative.
Kjo ka çuar në kritika nga industria ushqimore se vlerësimet e IARC mund të jenë konfuze për publikun.
JECFA, komiteti i OBSH-së për aditivët, po rishikon gjithashtu përdorimin e aspartamit këtë vit. Mbledhja e saj filloi në fund të qershorit dhe do të shpallë gjetjet e saj në të njëjtën ditë kur IARC bën publik vendimin e saj – më 14 korrik. /albeu.com