BotaLajme

Tragjedia në Greqi, roja bregdetare tërhoqi varkën

Dëshmitë e të mbijetuarve konfirmojnë se autoritetet greke përdorën litar, duke çuar në një tragjedi

Të tjera dëshmi tronditëse kanë dalë në dritë për mbytjen e anijes në Pylos në jug të Greqisë. Të mbijetuarit kanë treguar kushtet e ferrit mbi dhe poshtë kuvertës, pa ushqim apo ujë.

Disa thanë se fundin tragjik, e shkaktuan veprimet e rojes bregdetare greke. Ata janë shprehur gjithashtu se litari që hodhi roja bregdetare greke drejt anijes e tërhoqi atë duke bërë që të mbytej në orët e para të 14 qershorit për shkak të mbipopullimit.

“Ne hipëm në anije, shumë e mbipopulluar. Ne nuk u larguam deri në mëngjes. Anija u nis dhe trafikantët ende po sillnin njerëz, shumë njerëz, në bord. Edhe ujin e pijshëm na morën, ushqimin na e hodhën në det. Trafikantët na thanë se udhëtimi ynë është dy, tre ditë dhe do të jemi në Itali, por varka nuk u nis për shkak se kishte shumë njerëz”.

Të mbijetuarit deklarojnë se gjatë rrugës për në Itali, emigrantët bërtisnin “stop!” pasi një anije e rojes bregdetare greke filloi ta tërhiqte atë duke rritur shpejtësinë. Varka e emigrantëve u anua majtas dhe djathtas dhe më pas u përmbys. Episodi i tërheqjes u tregua gjithashtu nga gjashtë të mbijetuar të tjerë, të cilët u intervistuan nga Reuters dhe u kërkuan të mos identifikoheshin nga frika e hakmarrjeve nga autoritetet greke.

“Më pas roja bregdetare greke na vuri një litar dhe na tërhoqi. Kishte një numër të madh njerëzish. Njerëzit filluan të binin. Na tërhoqën shpejt dhe anija u përmbys”.

Deklaratat e gjashtë dëshmitarëve bien ndesh me deklaratat publike të bëra nga roja bregdetare dhe qeveria greke, të cilat kanë thënë se nuk është bërë asnjë përpjekje për të tërhequr anijen dhe se ajo është përmbysur kur roja bregdetare ishte rreth 70 metra larg.

Një grup trafikantësh të dyshuar, të arrestuar më 15 qershor, akuzohen për vrasje nga pakujdesia, kontrabandë dhe mbytjen e anijes me qëllim. Anija Adriana e cila u mbyt në jug të Pylos, në ujërat ndërkombëtare, ndërsa mbante midis deri në 750 emigrantë, kryesisht nga Siria, Egjipti dhe Pakistani.

Gjithsej 104 të mbijetuar janë gjetur, por ekipet e shpëtimit thonë se nuk ka gjasa që dikush tjetër të jetë i gjallë. Sipas të mbijetuarve, anija Adriana u nis nga një plazh afër qytetit libian të Tobruk në datën 10 qershor. Emigrantët kishin paguar nga 4,500 deri në 6,000 dollarë për udhëtimin.

Show More

Related Articles

Back to top button