Forcat ruse dhe ukrainase vazhduan luftimet në të gjithë Ukrainën lindore dhe jugore, ndërsa një raport nga një medium amerikan shtoi shpresat se Ukraina mund ta mbyllë vitin me bisedime për paqe, 15 muaj pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha në raportin e publikuar më 1 korrik se forcat ukrainase ishin përfshirë në rreth 20 beteja kundër trupave ruse një ditë më parë.
Shtabi gjithashtu tha se forcat ukrainase kishin mposhtur ofensivën ruse në zonat përreth Lymanit, Bahmutit, Avdijivkas dhe Maryinskas më 30 qershor.
Në raport u përmendën edhe sulme të mëdha ajrore nga forcat ruse në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe në rajonet jugore të Zaporizhjas dhe Hersonit.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se “përpjekjet kryesore” të Rusisë në jug të vendit kishin për qëllim “parandalimin e avancimit të trupave ukrainase”.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i konfirmojë pretendimet për zhvillimet në fushëbetejë në zonat e luftimeve të rënda.
Mediumi amerikan, Washington Post, raportoi më 30 qershor se drejtori i CIA-s, William Burns, vizitoi së fundmi Ukrainën për t’u takuar me Presidentin, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë të inteligjencës dhe për të dëgjuar “strategjinë e tyre ambicioze për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia dhe për të hapur negociatat e armëpushimit me Moskën deri në fund të vitit”.
Udhëtimi, për të cilin nuk dihej më parë, përkon me një kundërofensivë të shumëpritur për të cilën Zelensky ka thënë se ka qenë “më e ngadaltë se sa pritej”. Por, zyrtarët ukrainas pretendojnë se kjo kundërofensivë ka zhvendosur “iniciativën strategjike” në luftën në Ukrainë.
Një zëvendëskryeministër tha më 30 qershor se forcat ukrainase po shënonin fitore “në të gjitha drejtimet”.
Kievi ka sugjeruar se ende nuk e ka dislokuar pjesën më të madhe të mjeteve ushtarake të rënda dhe të forcave të Ukrainës të stërvitur nga Perëndimi.
Udhëtimi i supozuar i Burns erdhi pak përpara rebelimit të dështuar më 24 qershor nga udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe luftëtarët e tij, të cilët kanë qenë komponentë thelbësorë të pushtimit rus të Ukrainës, së bashku me qindra mijëra trupa të rregullta dhe të rekrutuar në ushtrinë ruse.
Prigozhinit dhe një numri të panjohur të mercenarëve thuhet se u është ofruar strehim në Bjellorusi. Kjo ka bërë që Zelensky të shtojë mbrojtjen e Ukrainës përgjatë kufirit të saj verior.
Udhëtimi i Bruns ishte një nga vizitat e shumta që ai ka bërë “rregullisht” në Ukrainë që nga shkurti i vitit të kaluar, tha një burim për Washington Post. Këtë herë, ai udhëtoi për t’u zotuar për angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj përpjekjeve të mbrojtjes së Ukrainës.
Washington Post dhe media të tjera raportuan se Burns telefonoi shefin rus të inteligjencës, Sergei Naryshkin, pas kryengritjes së Prigozhinit për t’i thënë Moskës se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin asnjë rol në këtë kryengritje.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, ka kërkuar durim dhe ka thënë se “ngjarja kryesore” në kundërofensivën e Kievit ende nuk ka ndodhur.
Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët, tha këtë javë se kundërofensiva ukrainase po bën përparim të qëndrueshëm, megjithëse “ndoshta jo aq të shpejt sa shumë njerëz në Perëndim kishin parashikuar”.
Më 28 qershor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan ndarjen e një pakoje tjetër të ndihmave ushtarake prej 500 milionë dollarësh për ta forcuar kundërsulmin e Ukrainës.
Në një intervistë të publikuar më 30 qershor, komandanti i lartë i Ukrainës, Valeriy Zaluzhny, u ankua se “ritmi i ngadaltë i furnizimeve me armë perëndimore më mërzit”. Duke folur për The Washington Post, ai përsëriti kërkesën e Kievit për avionët luftarakë F-16 të premtuar nga aleatët e tij perëndimorë.
“Nuk më duhen 120 avionë”, tha Zaluzhny në një intervistë. “Unë nuk do ta kërcënoj të gjithë botën. Një numër shumë i kufizuar do të mjaftonte”.