BotaLajme

OBI bën thirrje për masa kolektive për të parandaluar mosrespektimin e Kuranit

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dënoi ashpër djegien e Kuranit të Shenjtë javën e kaluar në Suedi dhe bëri thirrje për masa kolektive për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla provokuese, transmeton Anadolu.

Deklarata erdhi gjatë një sesioni të jashtëzakonshëm të komitetit ekzekutiv të OBI-t të mbajtur dje në Jeddah të Arabisë Saudite.

Deklarata e përbashkët erdhi pasi gjatë takimit u dënua ashpër akti mosrespektues ndaj shenjtërisë së Kuranit në Stockholm dhe u shpreh zhgënjimi që autoritetet e lejuan këtë akt.

Deklarata përfshinte një thirrje për Sekretarin e Përgjithshëm të OBI-t për t’i dërguar një letër qeverisë suedeze në emër të vendeve anëtare dhe për të shqyrtuar kryerjen e një vizite zyrtare në Suedi dhe në Komisionin Evropian për të “shprehur dënimin e incidentit të djegies së Kuranit dhe kërkesën për masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e atij akti kriminal me pretekstin e lirisë së shprehjes”.

Në deklaratë u kërkohet vendeve anëtare të OBI-t të bëjnë “përpjekje kolektive kundër akteve të ndyra” që shënjestrojnë Kuranin dhe simbolet e tjera të Islamit, duke theksuar se ushtrimi i lirisë së shprehjes përfshin gjithashtu përgjegjësi, bashkë me të drejta të caktuara.

Deklarata i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndalojë ata që angazhohen në akte provokuese kundër vlerave të shenjta të muslimanëve në emër të lirisë së shprehjes dhe inkurajoi organizatat e shoqërisë civile në vendet ku ndërmerren veprime kundër simboleve islame që të përdorin mjete ligjore.

Në deklaratë gjithashtu bëhet thirrje për përshpejtimin e zbatimit të “Planit të Veprimit për Luftimin e Islamofobisë” të miratuar në Sesionin e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u shprehur se OBI do të vazhdojë luftën kundër islamofobisë në forumet rajonale dhe ndërkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i OBI-t u ftua gjithashtu të shqyrtojë marrëdhëniet diplomatike me vendet ku “shenjtëria e Kuranit dhe vlerave, simboleve dhe shenjtërive të tjera islame përdhosen me pëlqimin e vendit në fjalë, duke përfshirë pezullimin e statusit të një të dërguari special”.

Të mërkurën, në ditën kur festohej festa e Kurban Bajramit, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë suedeze përpara xhamisë së Stokholmit.

Akti i tij provokues ka shkaktuar reagime dhe dënime nga e gjithë bota islame, përfshirë Türkiye-n, Jordaninë, Palestinën, Arabinë Saudite, Marokun, Irakun, Iranin, Pakistanin, Senegalin dhe Mauritaninë.

Në janar, një politikan i ekstremit të djathtë gjithashtu i vuri zjarrin një kopjeje të Kuranit para ambasadës turke në Suedi.

Show More

Related Articles

Back to top button