Policia me plan operativ, për tri ditë identifikoi 44 fëmijë lëmosh-kërkues
Policia e Kosovës sipas zbatimit të një plani operativ ’Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”, për tri ditë ka identifikuar 44 fëmijë lëmosh-kërkues prej tyre 36 shtetas kosovarë dhe tetë shtetas të Shqipërisë.
Sipas një njoftimi për media thuhet po ashtu se kanë identifikuar edhe 22 lëmosh-kërkues të rritur, prej tyre 14 shtetas kosovarë dhe tetë shtetas të Shqipërisë.
Tutje në njoftim thuhet se ndaj 16 personave të dyshuar është ngritur kallëzim penal.
“Policia e Kosovës ka hartuar dhe është në zbatim e sipër të planit operativ ‘Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit’. Ky plan ka shtrirje në tërë territorin e republikës dhe janë të përfshirë njësi të ndryshme të policisë dhe institucione jashtë policisë.
“Nga data 10.05.2022 deri më 13.05.2022, nga raportimet nga tereni, janë arritur këto rezultate dhe janë shënuar këto aktivitete: Identifikimi i 44 fëmijëve lëmoshë-kërkues, prej tyre 36 shtetas kosovarë dhe tetë shtetas të Shqipërisë. Identifikimi i 22 lëmoshë-kërkuesve të rritur, prej tyre 14 shtetas kosovarë dhe tetë shtetas të Shqipërisë. Numri i të dyshuarve, ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal është gjithsej 16 persona. Të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë janë referuar në QPS-në përkatëse. Shtetasit e Shqipërisë pas verifikimit janë referuar në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj për trajtim të mëtutjeshëm sipas ligjit për të huaj”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit të gjithë fëmijëve lëmoshë-kërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjaret e tyre dhe të pajisur me dokumente.
“Gjatë procedurave policore nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit me njerëz”, thuhet ndër të tjera në njoftim të Policisë së Kosovës.