Tjetër masakër në SHBA, sulmuesi hap zjarr në disa zona të Filadelfias, viktima dhe të plagosur
Një tjetër masakër me armë zjarri është regjistruar në SHBA, ku katër persona mbetën të vrarë dhe katër të tjerë u plagosën nga të shtënat në Filadelfia.
Gjatë natës një burrë hapi zjarr në vende të ndryshme të qytetit përpara se të ndalohej dhe arrestohej nga policia. Në një rrugicë janë gjetur një pushkë, një pistoletë dhe karikatorë të ndryshëm me municion, ndërsa sulmuesi kishte veshur një jelek antiplumb.
Sulmi ndodhi në prag të Ditës së Pavarësisë dhe vetëm një ditë pasi dy persona vdiqën dhe 28 u plagosën në një sulm me armë zjarri në Baltimore, Maryland.
Autoritetet atje janë ende në kërkim të shumë të dyshuarve që besohet se kanë hapur zjarr gjatë një mbledhjeje vjetore të komunitetit.
Që nga fillimi i vitit në Shtetet e Bashkuara ka pasur 339 të shtëna masive.