Presidenti francez, Emanuel Makroni po mendon t’i bllokojë mediat onlajn për të luftuar kundër trazirave të mëtejshme në Francë.
“Është e nevojshme të mendohet se si protestuesit e rinj i përdorin rrjetet sociale dhe ndalimet e mundshme”, deklaroi dje Makroni në takimin me kryebashkiakun e Parisit.
Sipas tij, nëse punët dalin jashtë kontrolli, mund të kenë nevojë të rregullohen ose mbyllen.
Të premten, presidenti i fajësoi mediat sociale për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave kundër brutalitetit të policisë.
“Përmes mediave sociale organizohen tubime të dhunshme”, tha ai, duke shtuar se duhet që të mendohet me qetësi për menaxhimin e mediave sociale “sepse kur bëhet instrument grumbullimi apo tentativë vrasjeje është një problem real”.
Në ndërkohë, në veri të Francës, kontrollet kufitare me Belgjikën u shtuan për ta ndaluar importin e lëndëve piroteknike, raportojnë mediat franceze. Qëllimi është të parandalohen kryengritësit që të furnizohen me mjete piroteknike.