Pas katër vjet studimesh në Universitetin e Kombeve të Bashkuara, respektivisht Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim, themeluar nga Universiteti i Kombeve te Bashkuara për paqe me seli në Beograd, më 6 korrik 2023, stomatologu i mirënjohur gostivaras Zumri Emrullai, mbrojti tezën e doktoraturës mbi temën “Ndikimi i terapisë ortodontike te të rinjtë me deformime ortodontike (mallookluzione) në pjesën perendimore të RMV – së”.
Prezantimi i temës u bë në hapësirat e Akademisë së shkencave dhe arteve të RMV përpara komisionit vlerësues në përbërje prof. Marija Zuzhellova (mentor), prof. Kenan Ferati (anëtar), ndërsa nëpërmjet lidhjes online nga Beogradi, pjesë e komisionit ishin edhe prof. Zhiva Ristiq (kryetar i komisionit) dhe prof. Violeta Shiljak (anëtar).
Në fillim u mbajt hapja e mirëseardhjes nga ana e profesor Nikolla Popovski, i cili vlerësoi këtë moment mjaft të rëndësishëm për arritjet e doktor Zumriut, një sukses i mëtejshëm në jetën e tij si stomatolog. Më tej, profesori i dha fjalën stomatologut Emrullai për të prezantuar tezën e tij, e cila zgjati 30 minuta. Stomatologu Emrullai e nisi prezantimin me një përvojë personale dhe më pas prezantoi statistikat nga terreni të cilat flasin për interesin e ulët të të rinjëve për ta vizituar stomatologun.
Prezantimi i stomatologut Emrullai është vlerësuar me notën më të lartë nga ana e Komisionit, pas çka mes emocioneve të shumta Emrullai dhe të gjithë të pranishmit e kanë pritur momentin final, ndarjen e çertifikatës së doktoraturës, si konkretizim i gjithë mundit dhe sakrificave të tij për të ardhur deri këtu.
Në fund Dr. Zumri Emrullai ka shpreh gjithë mirënjohjen dhe falenderimet e tij personale për të gjithë ato persona që në mënyra të ndryshme ia kanë mundësuar të shikojë më larg, me këshillat e tyre, më miqësinë e tyre e me afërsinë e tyre, duke lehtësuar vështirësitë e këtij shtegtimi. Gjithashtu, këtë punim Emrullai i ja dedikon familjes, respektivisht bashkëshortes dhe dy vajzave të tij.