Në fund të konferencës për shtyp në Beograd, mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka pasur tensione mes nikoqirit dhe mysafirit nga Tirana.
Sherri nisi kur kryeministri shqiptar foli për draftin e Statutit të Asociacionit, të cilin Rama ia ka dorëzuar presidentit francez dhe kancelarit gjerman.
Rama u shpreh se Draftin për Statutin e komunave me shumicë serbe ia kishte çuar “kumbarëve të marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës”, duke iu referuar Francës dhe Gjermanisë, gjë që solli dhe reagimin me tone të ashpra të presidentit serb, transmeton Telegrafi.
Vuçiqi tha se në Serbi vetë i zgjedhin kumbarët e tyre, duke shtuar se “vetëm Serbia mund të propozojë Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse kështu është sipas Marrëveshjes së Brukselit”.
Kjo përplasje ka bërë që presidenti serb të heq kufjet nga veshi dhe menjëherë ta mbyll konferencën për shtyp.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmbylli të premten turin dyditor ballkanik me vizitën në Serbi, ku u takua me presidentin Aleksandër Vuçiq lidhur me Procesin e Berlinit.
Më herët sot, kryeministri Rama vizitoi Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi, ku u prit nga autoritetet e larta shtetërore.
Kryeministri Edi Rama nisi dje turin dyditor në vendet e Ballkanit Perëndimor me vizita në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe takime me zyrtarë të lartë të këtyre vendeve.
Në 16 tetor 2023, Tirana do të presë samitin e radhës të Procesit të Berlinit.