Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot u takua me Gabriel Eskobarin, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të bisedimeve ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës Osmani e brifoi përfaqësuesin e lartë amerikan për Planin 9-pikësh për deeskalimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin e ka iniciuar në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së.
Njëherazi, u diskutua nevoja për përshpejtimin e proceseve integruese europiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit si qëllim strategjik i përbashkët.
“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian paraqet çështje sigurie dhe për këtë arsye përshpejtimi i proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie kyçe për ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në Europë si tërësi. E vlerësojmë lart mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së në atë drejtim, që është interes i përbashkët strategjik, por edhe garanci për kufizimin e ndikimit të palëve të treta”, theksoi Osmani.
ë takim u diskutua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të Dialogut Strategjik, si dhe për mbështetjen e përgjithshme për forcimin e institucioneve demokratike, përparimin në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Në të njëjtën kohë, në takim u mirëprit aleanca mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, ku u theksua mbështetja për Ukrainën dhe zotimet e përbashkëta për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave bashkëkohore demokratike, si dhe u dënua ashpër invazioni ushtarak rus.
Në margjinat e Forumit të Dubrovnikut 2023, Osmani zhvilloi takim me Kryetaren e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odil Renaud-Baso, ndërsa do të zhvillojë takime të veçanta edhe me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Marija Gabriel, dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Armenisë, Ararat Mizorjan.