Ndihma financiare synon të mbështesë stabilizimin ekonomik dhe axhendën e reformave thelbësore në formën e kredive. Vendimi për 100 milionë euro, të cilat do të paguhen në dy këste të barabarta, është marrë nga Komisioni Evropian për shkak se vendi është prekur ndjeshëm nga pandemia, kriza energjetike dhe importi i karburanteve dhe energjisë elektrike.
Ndihma makrofinanciare shoqëron programin e mbështetjes 24 mujore të lidhur me FMN-në në vlerën 530 milionë euro, e cila do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të vendit në vitet 2023 dhe 2024. Një parakusht për dhënien e ndihmës së BE-së është që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat efikasë demokratikë, përfshirë sistemin parlamentar shumëpartiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut, thuhet në njoftimin e BE-së.