16 qytete italianë janë vendosur në alarm të kuq nga i nxehti ekstrem që ka përfshirë Evropën Jugore. Alarmet, të cilat tregojnë rreziqe edhe për njerëzit e shëndetshëm, zbatohen për pikat e nxehta turistike, duke përfshirë Romën, Firencen dhe Bolonjën për ditët në vijim.
Temperatura të mundshme rekord priten në kontinentin e vjetër javën e ardhshme me afrimin e një vale tjetër të nxehti. Agjencia Europiane e Hapësirës, e cila i monitorin temperaturat në tokë e det përmes satelitëve, thotë se Italia, Spanja, Franca, Gjermania e Polonia mund të përballen me kushte ekstreme të motit.
Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Europë është ajo e gushtit 2021 prej 48.8 gradësh Celsius në Sicili, dhe parashikimet janë që nivele të ngjashme të mund të arrihen dhe këtë javë.
Ndërkohë, Greqia ka arritur temperaturat 40C ose më shumë ditët e fundit. Akropoli, atraksioni më i njohur turistik i vendit, u mbyll gjatë orëve më të nxehta të së premtes për të mbrojtur vizitorët.
Në vend ka frikë edhe për një rrezik më të madh të zjarreve, veçanërisht në zonat me erëra të forta.
Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu së fundi edhe SHBA-në pritet të përkeqësohet gjatë fundjavës me 90 milionë njerëz në rrezik, sipas CNN, që paralajmëron se temperaturat më të larta mund të regjistrohen në rajonet perëndimore.
Një sërë rekordesh janë vendosur në Shtetet e Bashkuara që nga qershori dhe të tjera mund të vendosen këtë fundjavë me temperaturat që pritet të arrijnë 54 gradë në Death Valley, Kaliforni, vendi më i nxehtë në tokë.
Valët e të nxehtit po shihen gjithashtu në disa pjesë Kinës, Afrikës së Veriut dhe Japonisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se moti ekstrem, që vjen si pasojë e ngrohjes globale, është duke u bërë “fatkeqësisht një normale e re”. /Alsat.mk