BotaLajme

Italia mbyll aeroportin kryesor të Sicilisë për shkak të zjarrit

Aeroporti në qytetin sicilian të Katanias, një nga pikat kryesore turistike në Sicilinë lindore, është mbyllur deri të mërkurën për shkak të një zjarri, bëri të ditur kompania e menaxhimit të aeroportit në Twitter.

Zjarri shpërtheu vonë të dielën dhe nuk pati të lënduar, njoftoi aeroporti.

Zjarrfikësit thanë se ishin në gjendje të frenonin zjarrin rreth 90 minuta pasi u ndez, por nuk dhanë detaje mbi shkakun e mundshëm apo ndonjë lidhje me temperaturat e larta aktuale në rajon.

Katania është një nga qytetet italiane që lëshoi alarmin e kuq për temperaturat e larta të dielën, së bashku me kryeqytetin sicilian Palermo dhe qytetin e tretë më të madh në ishullin Mesina.

Vendi po përgatitet për temperatura të larta rekord në ditët në vijim.

Fluturimet në aeroportin sicilian, i cili sipas grupit të sektorit Assoaeroporti, ishte i pesti më i ngarkuari në Itali vitin e kaluar, u pezulluan deri të mërkurën në orën 14:00 me kohën e Evropës Qendrore, njoftoi kompania.

Agjencia e lajmeve Ansa njoftoi se pas shpërthimit të zjarrit, në pjesën e poshtme të ndërtesës u shfaq tym i dendur, duke bërë që njerëzit të largoheshin nga aeroporti në panik.

Aeroporti i Katanias përdoret rregullisht nga turistët që shkojnë në vende si mali Etna dhe Taormina, i cili është rreth 70 kilometra larg, dhe Sirakuza, me teatrin e tij grek dhe qendrën historike në ishullin Ortigia.

Dhjetëra miliona njerëz janë duke u përballur me temperatura shumë të larta në gjithë botën.

Moti i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi, konsiderohet një prej shembujve se si rrezikohet bota nga ngrohja globale.

Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

Temperatura mesatare në botë e ka prekur shifrën 16.89 gradë Celsius më 3 korrik dhe e ka tejkaluar shifrën 17 gradë për herë të parë më 4 korrik, me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius./rel

Show More

Related Articles

Back to top button