LajmeRajon

Ka ende shpresë për Bullgarinë/ Nisin bisedimet: Të shmangim zgjedhjet e parakohshme

Në përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, presidenti bullgar Rumen Radev ka nisur një raund të ethshëm bisedimesh me partitë politike, pas rrëzimit të koalicionit qeverisës të kryeministrit Kiril Petkov me një mocion mosbesimi në parlament.

Qeveria e Petkovit nuk rezistoi dot më shumë se 6 muaj në pushtet. Shpresat megjithatë, ai duket nuk i ka humbur krejtësisht. Në fakt, raportet në mediat e huaja tregojnë se kryeministri bullgar po kërkon të tërheqë mbështetje mjaftueshëm sa për të krijuar një qeveri të re koalicioni në fokusin e të cilës të jetë lufta kundër korrupsionit, dhe shmangia e një qëndrimi të bashkuar të vendit kundrejt agresionit rus në Ukrainë.

Që të arrijë mazhorancën e nevojshme, Petkovit i nevojitet edhe mbështetja e 6 ligjvënësve, por analistët mbeten skeptikë kur vjen fjala tek sigurimi i një përkrahjeje të tillë, ndërsa mendojnë se gjasat më të mëdha janë që vendi të shkojë në vjeshtë në zgjedhje të reja. Nëse kjo ndodh, këto do të jenë zgjedhjet e katërta për Bullgarinë që prej 2021-shit. Presidenti Radev i nisi konsultimet me partinë e dytë më të madhe në parlament, atë të qendrës së djathtë GERB, pasi partia PP e Petkovit kërkoi një shtyrje të afatit për bisedimet deri sa parlamenti të votojë mbi ndryshimet e propozuara në buxhet.

Bullgarët ndihen me të drejtë të shqetësuar nga rritja e çmimeve, lufta në Ukrainë e pasiguritë që lindin nga këto kriza. Sfida të mëdha e presin çdo koalicion të ri që do të krikohet.

Petkovi ia hodhi interesave korruptive dhe influencës pro-ruse fajin për shembjen e ekzekutivit të tij, ndërsa shfaqi shqetësimin se një kabinet i caktuar nga kreu i shtetit mund të përmbysë vendimin e Sofjes për të mos e paguar në rubla gazin rus, që ishte një kërkesë e Moskës. Zyrtarët e partisë GERB, informuan Radevin se partia e tyre nuk do të mundohej të formonte një koalicion, nëse Petkov do të dështonte në tentativën e tij të parë. Nëse partia e Petkov, PP, GERB dhe një tjetër parti politike në parlament nuk do të arrinin të formonin një koalicion qeverisës, Radevit do t’i duhet të caktojë një kabinet të përkohshëm dhe të shpallte datën e zgjedhjeve të reja brenda dy muajsh.\Top Channel\

Show More

Related Articles

Back to top button