Përveç drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua së fundmi, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë edhe shtetas të tjerë serbë.
Mediat serbe raportojnë se disa prej tyre janë të njohur për publikun e gjerë, si tregtari i armëve Slobodan Teshiç dhe biznesmeni Milan Radojiçiç, ndërsa të tjerët pothuajse nuk njihen.
Teshiç është tregtari më i madh i armëve në Serbi, madje ishte i kërkuar për një kohë nga Interpoli. Ndërsa Milan Radoiçiç,dyshohet se është i lidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Ai është i sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.
Drejtori i Agjencise Serbe Vulin së fundmi është mbrojtur edhe nga ministri i Jashtëm Ivica Daçiç i cili është shprehur se nga SHBA nuk ka ardhur asnjë provë e vetme për pretendimet e tyre dhe sanksionet i cilëson të motivuara politikisht.
I pyetur se si kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet serbo-amerikane, Daçiç ka thënë se Serbia “ka bashkëpunim të mirë me SHBA në luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar”.
“Kjo është një nga shtyllat më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë. Dhe pikërisht për këtë “është për t’u habitur” që autoritetet shtetërore amerikane marrin vendime për sanksione ndaj një funksionari të lartë të Serbisë, me dyshime për lidhje “të supozuar” me krimin e organizuar. Por këtu po flasim vetëm për politikë, e kjo është politika shtetërore e Serbisë, të cilën e zbatojnë të gjithë ata që janë në krye të institucioneve”, ka thënë Daçiç.
Ai gjithashtu ka pretenduar se me këtë veprim “ata duan të krijojnë një ekuilibër artificial” mes Kosovës dhe Serbisë.