Rreth 300 minatorë të Trepçës janë futur sërish në grevë sot. Kjo për shkak që ende s’e kanë marrë pagën e plotë të muajit qershor.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi.
“Po është e vërtetë jemi në grevë. Po konkretisht për arsye mosrealizimit të pagës. Këtë muaj nuk e kanë marrë pagën e plotë, dhe kjo është. Këta kanë premtuar prej të premten së kaluar që ka me iu dalë paga. Janë rreth 300 punëtorë në grevë, komplet ndërrimi i parë”, tha ai.
Sipas Januzit, gjendja deri në këtë pikë ka ardhur për shkak të mosmenaxhimit të mirë.
“Sipas fjalëve të menaxhmentit arsyeja kryesore është mungesa e fondeve, mirëpo ne po shohim edhe diçka tjetër, pasi nuk po menaxhohet mirë sa duhet. Normal që nuk është dashur me ardh puna deri në këtë gjendje”, deklaroi ai për Front Online.
Minatorët e ndërrimit të paradites kanë mbajtur grevë edhe të mërkurën e kaluar, por ata të turnit të dytë e kishin ndërprerë pasi iu kishte ekzekutuar pjesa e parë e pagës.