Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka kritikuar vendimin e Rusisë për të mos zgjatur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila i lejonte Ukrainës të eksportonte drithërat e saj gjatë luftës së shkaktuar nga pushtimi i Moskës.
“Vendimi i Rusisë për të ndërprerë marrëveshjen e drithërave është një provë e mëtejshme se kush është miku dhe kush është armiku i vendeve më të varfra”, tha Meloni vonë të hënën, “udhëheqësit e atyre vendeve që nuk duan të bëjnë dallimin midis sulmuesit dhe të sulmuarit duhet të reflektojnë”.
“Përdorimi si armë i lëndës së parë që ushqen botën është një tjetër shkelje kundër njerëzimit”, tha ajo, shkruan ANSA.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha të hënën se Italia dhe partnerët e saj ndërkombëtarë po punonin për “zgjidhje alternative” pasi Rusia vendosi të prishë marrëveshjen, përcjell KosovaPress.
“Mungesa e ushqimit në Afrikë na shqetëson të gjithëve”, tha Tajani përmes Tëitter.
“Ne jemi shumë të shqetësuar që Rusia i dha fund marrëveshjes për drithërat.
“Tashmë jemi duke punuar për zgjidhje alternative.
“Çështja do të trajtohet në samitin e sigurisë ushqimore që kemi organizuar me Kombet e Bashkuara në Romë, më 24 korrik”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të hënën se “miliona njerëz do të paguajnë çmimin” e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja.