Listës së zezë amerikane pritet t’i shtohen edhe emra tjerë. Edhe pse mezi pret t’i sheh këta emra, megjithatë, zv.kryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska thotë se është detyrë e institucioneve të vendit që të veprojnë.
“Emrat që deri tani janë publikuar i kuptoj vetëm si hyrje në procesin e mëtejshëm, megjithatë prapë do të them se detyra kryesore e shtëpisë është e jona. E institucioneve, e liderëve tanë, e të gjithë neve që në të gjitha mënyrat e mundshme të tregojmë se mundemi dhe kemi kapacitet të ndërtojmë një shoqëri dhe institucione që mund të ballafaqohen me çfarëdo problemi”, tha Sllavica Gërkovska, zv.kryeministre për Qeverisje të Mirë.
E duke qenë se i fundit që iu shtua listës së zezë për korrupsion të lartë është Ramiz Merko, për të u pyet edhe Izet Mexhiti si ish bashkpartiak i tij. Në “Summer Click” në TV21 Mexhiti tha se nëse dikush futet në atë listë, mbyllet karriera politike e të njëjtit.