Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon dy gra, nënë e bijë të dhunuara që kalojnë të zhveshura para një turme në shtetin verilindor të Manipurit.
Kjo gjë ka ngjallur zemërim në Indi. Policia thotë se ka hapur një rast për përdhunim në grup dhe ka arrestuar një person.
Kryeministri Narendra Modi tha se incidenti kishte turpëruar Indinë dhe se asnjë fajtor nuk do të kursehet.
“E siguroj kombin, se ligji do të ndjekë rrugën e tij me të gjitha forcat. Ajo që ndodhi me vajzat e Manipurit nuk mund të falet kurrë,” tha ai, duke thyer përfundimisht heshtjen e tij për Manipurin më shumë se dy muaj pasi filloi dhuna.
Gjykata e Lartë shprehu gjithashtu shqetësimin e saj për sulmin. Shefi i drejtësisë së Indisë DY Chandrachud tha se gjykata ishte me të vërtetë e shqetësuar për videon dhe i kërkoi qeverisë të merrte masa.
Policia thotë se sulmi ndaj grave ndodhi më 4 maj, por u bë publike nëpër media pasi video filloi të bëhej virale të mërkurën.
Qeveria federale u ka kërkuar të gjitha kompanive të mediave sociale që ta fshijnë videon nga platformat e tyre.
Të paktën 130 kanë vdekur dhe 60,000 janë zhvendosur që nga fillimi i përleshjeve etnike midis komuniteteve Meitei dhe Kuki në maj në Manipur.
Video tregon se dy gratë nënë e bijë, u tërhiqen zvarrë para një turme burrash që më pas i shtyjnë në një fushë.
Forumi i Udhëheqësve të Fiseve Indigjene (ITLF) tha në një deklaratë se mizoritë ishin kryer në një fshat në rrethin Kangpokpi kundër grave nga komuniteti fisnor Kuki-Zo. Ai gjithashtu pretendoi se gratë ishin përdhunuar në grup.
Dihet mirë se trupat e grave shpesh bëhen fushë beteje gjatë trazirave dhe konflikteve, dhe përdhunimet dhe sulmet seksuale përdoren si instrumente dhune për t’i ndëshkuar ato.
Video tregon gratë duke qarë, duke u përkulur nga dhimbja dhe duke u lutur sulmuesve të tyre që të tregojnë pak mëshirë.