LajmeRajon

Nuk pati takim trepalësh, Lajçak bisedoi veçmas me Bislimin dhe Petkoviç për një sërë çështjesh

Në Bruksel nuk pati takim trepalësh. Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi se bisedoi veçmas me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

“Ne diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të Dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe uljen e tensioneve në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”, njoftoi zyrtari i BE përmes një statusi në Twitter.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, zoti Bislimi, sqaroi se fokusi kryesor ka qenë në sekuencimin e hapave që duhet të bëhen për zbatimin e marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Tek plani i sekuencimit, ne kemi shqetësime me draftet e deritanishme që z. Lajçak i ka dërguar palëve tona, për arsye se mendojmë se ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazë, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes”, u shpreh Bislimi pas takimeve.

Kryenegociatori shtoi se mes temave të diskutimit me Lajçak ka qenë ajo për komitetin mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, çështja e energjisë, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur dhe për ujdinë e arritur në Bratisllavë për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Show More

Related Articles

Back to top button