SHBA thuhet se po i bën presion Kievit për të hedhur forcat e mbetura kundër armikut. Në fakt, një artikull në Washington Post, titulli i të cilit ishte: “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një ndryshim vendimtar”, në të cilin argumentohej nevoja për një përpjekje të mëtejshme sulmuese ukrainase.
Nga ana tjetër, frika e ushtarëve ukrainas për një kundërofensivë të Moskës po rritet dita-ditës. Tablonë e zymtë e ka përkeqësuar akoma më shumë lajmi seRusia po ndërton një forcë prej 100,000 ushtarësh për të sulmuar pjesën veriore të vijës së frontit, ndërsa vetë komandantët ukrainas kanë filluar ta pranojnë se kundërofensiva e tyre “ka ngecur”.Kolonel Serhi Cherevaty, një zëdhënës i ushtrisë ukrainase, tha se Rusia kishte urdhëruar gjithashtu batalionet e ish-të dënuarve Storm-Z të përgatiteshin për betejë dhe po gjuante më shumë se 500 predha në ditë në forcat ukrainase rreth Kupyansk. “Armiku ka përqendruar një grup shumë të fuqishëm,” tha ai.
“Më shumë se 100,000 personel, më shumë se 900 tanke, më shumë se 550 sisteme artilerie dhe 370 sisteme raketash salvo”, shtoi koloneli.
Kupiansk, një qytet në rajonin e Kharkiv të Ukrainës, ishte një qendër logjistike dhe një rrugë e rëndësishme furnizimi për forcat pushtuese ruse në lindje, derisa Kievi e rimori atë gjatë kundërofensivës së tij vjeshtën e kaluar. Kolonel Serhi Cherevaty megjithatë, tha se aktualisht Rusia po përballet me humbje të trupave dhe armëve.
Sipas tij, kjo do të thotë se ata duhet të riparojnë pajisjet dhe të ndryshojnë personelin, sepse, pasi shpallën një ofensivë të madhe në pranverë, forcat ruse “duan të tregojnë të paktën njëfarë suksesi”. “Kjo është arsyeja pse ata përqendruan përpjekjet e tyre maksimale në këtë drejtim për të treguar se janë të aftë për disa veprime sulmuese pas dështimit të operacionit Bakhmut,” argumentoi Cherevati, duke iu referuar qytetit Donetsk, ku ai tha se Ukraina e ka situatën nën kontroll.
Paralajmërimi i kolonelit Cherevati se forcat ruse po përgatiteshin për të sulmuar në veri u konfirmua edhe nga zyrtarë të lartë ushtarakë ukrainas. Hanna Malyar, zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, tha se sulmi në Kupyansk mund të jetë një taktikë diversioni e përdorur nga Rusia për të larguar vëmendjen, nga zonat ku Ukraina ka arritur një lloj suksesi deri tani. “Sapo ne fillojmë të ecim përpara, armiku menjëherë aktivizohet në drejtime të tjera për të shpërqendruar dhe tërhequr forcat tona”, tha ajo.
Parashikimi për luftën
Në përgjigje të këtyre paralajmërimet, agjencitë ruse të lajmeve pretenduan, pa dhënë asnjë provë, se forcat ruse kishin avancuar deri në një milje drejt Kupyanskut. Sakaq, la pasur një ndryshim në gjuhën e përdorur nga komandantët ukrainas gjatë javëve të fundit. Optimizmi i tyre në fillimin e kundërsulmimit të tyre gjashtë javë më parë dhe premtimet e mëdha janë “zbehur”.
Në vend të kësaj, ata kanë filluar të flasin për përparim të ngadaltë por të qëndrueshëm kundër mbrojtjes ruse. Gjeneral-koloneli Alexander Syrsky, komandanti i përgjithshëm i forcave tokësore të Ukrainës, tha për “BBC” të martën se bastionet ruse po frenonin përparimin e forcave të tij. “Përparimi ynë me të vërtetë nuk po shkon ashtu siç do të donim,” tha ai.
Megjithatë, gjenerali më i lartë i SHBA-së tha të martën se kundërofensiva e Ukrainës ishte “larg nga dështimi”, por se lufta do të ishte e gjatë dhe e përgjakshme. “Mendoj se ka ende shumë luftë, do të zgjasë gjatë. Do të jetë e vështirë. Do të jetë e përgjakshme” tha Mark Milley, kryetar i shefave të përbashkët të shtabit.
Ndërsa, Andrea Marinelli dhe Guido Olimpo, dy gazetarë italianë shpjegojnë për“Corriere Della Sera” se tani Zelensky, së bashku me gjeneralët e tij, e gjen veten mes “dy zjarreve”: ai duhet të ruajë fuqinë e sulmit, megjithatë pa pësuar humbje shumë të rënda. Sipas tyre, është aspekti teknik që po e shqetëson Kievin: Marina e Ukrainës, tani pa anije dhe inteligjenca e saj po punojnë vazhdimisht për të shumëfishuar mjetet që do të përdoren në këto sulme, por pa shumë sukses.
Sidoqoftë, “Corriere Della Sera” ka një parashikim optimist. Siç shkruan prestigjozja italiane, ukrainasit po përpiqen dhe në të njëjtën kohë po studiojnë efektet dhe performancën e produkteve “shtëpiake”, të bindur se herët a vonë do të mund të kenë sukses.