Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe njëherë u ka bërë thirrje partive opozitare ta mbështesin mocionin e mosbesimit të iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj në kërkesën e tij drejtuar partive opozitare, ka thënë se nëse të njëjtat janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo Qeveri duhet të ndalet, atëherë duhet ta mbështesin një mocion të tillë.
Pas kërkesës së Haradinajt për të mbështetur mocionin ka ardhur një reagim nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deputeti i kësaj partie Hajdar Beqa, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se qëndrimi i PDK-së është i qartë, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.
Beqa tha se si opozitë nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë Kurti, por deklaroi se janë duke punuar për largimin e saj nga pushteti.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë, ne mendojmë se sa më shpejt shkojmë në zgjedhje është më mirë për vendin, Kosovën dhe ndalet dëmi që po ia bën kjo Qeveri vendit në të gjitha sferat, edhe në aspektin diplomatik edhe në aspektin ekonomik, të sigurisë por në të njëjtën kohë edhe në aspektin e dukurive negative. Siç e keni pa që ka lulzu korrupsioni tek zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvednosje. Sa i përket formës sesi me shku në zgjedhje ne si opozitë ende nuk i kemi numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë. Ne jemi duke punuar dhe do të punojmë natë e ditë që kjo Qeveri të shkojë sa më shpejt dhe të vijë një qeveri e cila është në harmoni me kërkesat e qytetarëve dhe punon për interesat e vendit. PDK-ja ka qëndrimin e vet publik”, tha Beqa për “Gazeta Blic”.
“Na edhe më herët jemi deklaruar, kemi zgjedhur një rrugë të re. S’kemi vota për mocion momentalisht. Nuk kemi marrë vendim tjetër pas mbledhjes së Kryesisë, kur të mbajmë mbledhje marrim vendime” tha shkurt Krasniqi për “Gazeta Blic”.
Pas ngjarjeve të muajve të fundit në veri të vendit dhe sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar mocion mos-besimi ndaj qeverisë Kurti.
“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”, tha Haradinaj një muaj më parë, raporton Gazeta Blic.