Saimir Strati, artisti i mozaikëve të 12 rekordeve botërore shpalosi portretin e Omer Kaleshit para publikut Gostivaras. Në galerinë “Kult”, artisti nga Shqipëria, portretin – mozaik të punuar me material të mermerit, e solli përmes ekspozitës të titulluar “Kokë më kokë me Omer Kaleshin”, si mirënjohje, ndaj Kaleshit i cili ka qenë piktor i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut që shumicën e veprimtarisë së tij e pati nëpër kryeqendrat botërore dhe ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Ai ndërroi jetë dy muaj më parë dhe nuk arriti të mbarojë autoportretin e tij.
“Së bashku me kuratoren Vlora Demiri jemi menduar të sjellim disa teknika dhe disa subjekte të ndryshme. Në rekordet gines unë kam përdorur materiale të ndryshme që përfshinë edhe industrialen, ashtu si edhe për ekspozitën kam sjellë që me materialet industriale së bashku të jenë edhe materialet tradiconale që një prej tyre është portreti i Omer Kaleshit, artistit tim të preferuar dhe e sjellë si një dedikim shpirëror. Portreti i Omer Kaleshit është realizuar në mermer – granit, një material i cili ndoshta jeton mbi tre milionë vjet”, deklaron Saimir Strati, artist.
Artisti shqiptar i mozaikëve, i cili është anëtar i Shoqatës Britanike të Mozaikut Modern, nuk zbulon shumë detaje, por thotë se ka ide për të shënuar edhe një rekord të ri Guinness.
“Artisti është gjithmonë në vorbullën e zjarrit dhe të pyetjeve ndaj vetes. Ide kam sigurisht, por do të më duhet të përzgjedh gjëra që do të jenë përfaqësuese të atij numri 12-të në mozaikun dhe për mua”, deklaron Saimir Strati, artist.
Strati thkeson se sa herë vjen në Gostivar, nga ky qytet kthehet me një vepër të madhe në krijimtarin e tij artistike.
“Në Gostivar ka vite që vijë dhe marr pjesë në të gjitha simpoziumet që bëhen për artin, por që nga hera e parë jam befasuar, jo nga arkitektuar për hirë të së vërtetës, por nga arkitektuar shpirtërore e këtyre njerëzve që kanë një mikëpritje të jashtëzakonshme, kanë një kulturë të jashtëzakonshme dhe e kam si motiv se kur do të shkoj në Gostivar do të kthehem patjetër me një vepër në krijimtarinë time që do të jetë e bukur. Unë Gostivarin e bashkërendojë me të bukurën shpirtërore”, deklaron Saimir Strati, artist.
Shqiptari i Librit Guinnes rekordin e parë e ka shënuar në vitin 2006 me portretin e Leonardo Da Vinçit, të punuar me gozhdë, duke përdorur rreth 400 kilogramë gozhda. Nga 12 vepra që janë pjesë e librit të rekordeve, mbi gjysma prej tyre ndodhen në Shqipëri.
Ai aktualisht merr pjesë në Gostivar në evenimentin artistik “Kolonia ndërkombëtare e artit”, e cila shënohet për të 17-tin vit nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Maqedonisë së Veriut “Draudacum”.