BotaLajme

VOA: Vizita e Presidentit Herzog në Uashington nuk mund të fshehë tensionet SHBA-Izrael

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e shfrytëzoi vizitën e tij në SHBA këtë javë për të zbutur tensionet me mbështetësin më të madh të Izraelit. Politikat e Kryeministrit Benjamin Netanyahu, të etiketuara si ekstreme nga disa, janë kritikuar nga Uashingtoni.

Nga duartrokitjet e shumta gjatë fjalimit të Presidentit izraelit Isaac Herzog në Kongresin amerikan, dukej se marrëdhëniet SHBA-Izrael janë më të forta se kurrë. Por tensionet mes dy vendeve ishin të pranishme gjatë gjithë vizitës së tij.

“Nuk jam i pavëmendshëm ndaj kritikave midis miqve, përfshirë disa të shprehura nga anëtarë të respektuar të Kongresit. Unë i respektoj kritikat, veçanërisht nga miqtë, edhe pse jo gjithmonë duhet t’i pranosh ato”, tha Presidenti Herzog.

Gjatë pritjes në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden theksoi lidhjen e tij të thellë me shtetin hebre, duke e quajtur atë të pathyeshme.

Por fakti që Shtëpia e Bardhë ftoi presidentin izraelit, një figurë simbolike, i cili mbajti edhe një fjalim para Kongresit amerikan, dhe jo kryeministrin Netanyahu, tregon për tensionet e thella mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë aktuale izraelite.

Vetëm një ditë para vizitës së Presidentit Herzog dhe shtatë muaj pas kthimit të Netanyahut në pushtet, Presidenti Biden e ftoi kryeministrin për takim, por pa përcaktuar vendin dhe kohën.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Nimrod Novik, anëtar i Forumit të Politikave mbi Izraelin.

“Në Izrael, kryeministri nuk shihet si kryeministër derisa të vizitojë Shtëpinë e Bardhë. Tradicionalisht, kjo ndodhte brenda disa javësh pas bërjes së betimit”.

Presidenti Biden e ka paralajmëruar zotin Netanyahu se po minon demokracinë izraelite, përmes reformës radikale të sistemit gjyqësor, që synon të kryejë, pa patur konsensus të gjerë publik dhe përballë protestave popullore. Zoti Biden gjithashtu ka shprehur shqetësime lidhur me ekstremistët në koalicionin e qeverisë së zotit Netanyahu.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Michael Oren, ish ambasador i Izraelit në Uashington gjatë mandatit të Presidentit Obama

“Problemi në dukje është reforma, por mendoj se ka probleme shumë më të thella. Ato kanë të bëjnë me qëndrimin e kësaj qeverie ndaj palestinezëve, ndaj zgjidhjes me dy shtete, që ende mbështetet nga Uashingtoni dhe nga prania e ministrave si Ben Gvir dhe Smotrich, të cilët janë krejtësisht të papranueshëm për administratën e tanishme amerikane dhe për çdo administratë tjetër në fakt”.

Gjatë vizitës së tij, Presidenti Herzog u përpoq të siguronte udhëheqësit amerikanë se demokracia izraelite mbetet e fortë, edhe nëse aktualisht është shqetësuese.

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të mjaftojë për të kapërcyer hendekun midis politikave të administratës së zotit Biden dhe qeverisë së zotit Netanyahu./voa/

Show More

Related Articles

Back to top button