Brenda gjashtë muajve do të procedohen aktet nënligjore për themelimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Kështu zotohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila edhe vetë ka mëdyshjet se kjo nismë ligjore do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për interpretim. Sipas saj, shumë shpejt do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtorit dhe stafit mbështetës.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës po sheh mundësitë që ky ligj të dërgohet në Kushtetuese, meqë konsiderojnë se është në dëm të interesit shtetëror të Kosovës periudha kohore me të cilën do të merret instituti. Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare shpreh kritikat, meqë konsiderojnë se instituti do të mbetet një instrument në duart e qeverisë.
Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se për herë të parë Kosova po e themelon një institut që do të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Ajo thekson se me themelimin e këtij institucioni do të adresohen dhe dokumentohen krimet e luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.
Partia Demokratike e Kosovës ka mendime të tjera në lidhje me këtë institut. Deputetja Blerta Deliu-Kodra konsideron se kjo nismë ligjore është në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës.
Kjo parti opozitare po ashtu konsideron se miratimi i këtij ligji në lexim të dytë, është fatkeqësi për parlamentin.
Megjithatë, ministrja e Drejtësisë i konsideron manipulimin publik, deklaratat e tilla në lidhje me këtë çështje.
Përkundër mendimit se themelimi i këtij instituti është hap i mirë, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Bekim Blakaj deklaron se nuk janë marrë parasysh shumë nga rekomandimet e tyre.
Edhe profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu konsideron se ky institut duhet të jetë i pavarur.
Sipas tij, duhet të punohet në ritëm më të shpejt, meqë ka kaluar kohë e gjatë nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Gjatë draftimit të këtij projektligji, Bekim Blakaj shton se ndryshimet kryesore janë bërë për fushëveprimin e institutit. Në draftet e para, kjo çështje ka qenë e paraparë qartë që do t’i hetojë krimet të cilat kanë ndodhur mes datës 1 janar 1998 dhe 20 qershor 1999. Ndërsa, tani neni 2 që rregullon fushëveprimin është ndryshuar duke e vendosur edhe një paragraf të ri në këtë nen, ku thuhet se instituti mund të hetojë edhe krimet e luftës pas kësaj periudhe, por jo më shumë se sa deri më 31 dhjetor 2000.
Instituti për Hetimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës është agjenci e përhershme dhe do të funksionojë për një periudhë të gjatë./KP