Duke debatuar në Parlamentin e Serbisë, deputetja opozitare Tatjana Milivojeviç, ka deklaruar se rreth 2 mijë serbë janë larguar nga Kosova vetëm në muajin e fundit.
“Në muajin e fundit nga Kosova janë larguar 2000 serbë”, tha ajo, derisa ishte në replikë me Marina Ragush, deputete e partisë në pushtet.
Ajo tha se informacioni i saj është i sigurt dhe se “qytetarët duhet ta dinë”.
Akuzoi edhe Vuçiç-in se po e udhëheqë Serbinë “në një mënyrë të çmendur”, duke aluduar në tensionet e vazhdueshme në Serbi, përfshirë edhe situatën me Kosovën.
Milivojeviç nuk ka shpalosur se nga i ka shifrat për largimin e 2 mijë serbëve.
Institucionet në Kosovë nuk kanë konfirmuar një numër të tillë largimesh.
Kosova vazhdimisht bëhet temë në parlamentin serb, veçanërisht kohëve të fundit, kur shpërthyen tensionet, që kulmuan edhe me protesta të dhunshme në fund të muajit maj, pas zgjedhjeve të mbajtura në katër komuna në Veri dhe bojkotimit nga serbët.
Kolegë të Milivojeviç gjithashtu kanë folur për situatën me Partinë Progresiste në Serbi, që deri vonë udhëhiqej nga presidenti aktual, Aleksandër Vuçiç.
“Abdikoi edhe faraoni Vuçiç nga kreu i partisë, nuk i duheni më ju, ‘bots’ dhe shushunja që ushqeheni me paratë e qytetarëve të Serbisë. Po iu bie rejtingu, mbulesa e SNS-së padyshim po bie. Kështu thonë qytetarët e Serbisë, ju ka ardhur fundi”, tha një nga deputetet opozitar, në debatin që po vazhdon në parlamentin serb.