Në bazë të analizës që ka realizuar Instituti për politikë ekonomike, Finance Think, gjatë vitit 2020 ekonomia joformale e njohur si ekonomia gri, ka gëlltitur mbi 2.5 miliardë euro, mjete këto që në vend se të arkëtohen në buxhetin e shtetit, përfundojnë në xhepat e personave privatë.
Ekonomia joformale, sipas kësaj analize, përfshin 23.2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor të Maqedonisë së Veriut.
Nga ky institut thonë se megjithëse është për t’u vlerësuar trendi i uljes së ekonomisë joformale në vend për 8.4 për qind nga viti 2006 kur ekonomia joformale përbënte 31.6 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, ende mbetet shumë punë për t’u përmbushur standardet e vendeve evropiane.
Si shembull kanë marrë Kroacinë, vend ky ku ekonomia joformale përbën 10 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.
Bojan Srbinoski nga Instituti Finance Think, gjatë prezantimit të kësaj analize ka numëruar faktorët që kontribuojnë në nivelin e lartë të përqindjes së ekonomisë joformale në Maqedoninë e Veriut krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës.
“Arsyet kanë të bëjnë me korrupsionin, korrupsionin në nivele të larta, mungesën e stabilitetit politik dhe si faktor të tretë do të kisha potencuar mënyrën se si shteti i shpenzon paratë e qytetarëve. Për shkak të moralit të ulët tatimor, nuk ka asnjë tolerancë te vetë qytetarët për të denoncuar informalitetin”, thotë Srbinovski.
Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se me rëndësi të veçantë krahas rregullativës ligjore është dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për pasojat që sjell ekonomia joformale.
Alaudin Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës dhe ish-zyrtar i lartë i Drejtorisë së të Hyrave Publike thotë për Radion Evropa e Lirë se fronti i vetëm dhe më efektiv në luftimin e kësaj dukurie mbeten qytetarët dhe kontrollet joselektive nga ana e institucioneve përkatëse.
“Edhe pse kemi të bëjmë me një problem, fenomen të vjetër, shteti duhet të ofrojë zgjidhje të reja që të kemi një luftë efikase joselektive të kontrolleve, qofshin ato kapitale, tatimore apo monetare”, vlerëson ai.
Ndërkaq, nga Instituti për Politikë Ekonomike, Finance Think, theksojnë se strategjia për të luftuar punën e padeklaruar dhe mospagimin e taksave, ekziston në letër, por ka shumë probleme gjatë zbatimit praktik.
Në këtë drejtim, afaristët theksojnë se është e nevojshme që të realizohen kontrolle sistematike ndaj subjekteve ekonomike, të cilat nuk punojnë sipas rregullativave ligjore, në të kundërtën rrezikohet mbyllja e subjekteve serioze për shkak të luftës me konkurrencën e padrejtë dhe vështirësitë e mëdha për të mbijetuar në treg.
“Kjo dukuri shfaqet më shumë në kohë krizash, andaj Qeveria duhet të ketë kujdes duke marrë parasysh se kjo krizë i ka goditur të gjithë, ku më të ekspozuara janë kompanitë e vogla dhe ato të mesme.
Pikërisht dukuria e ekonomisë joformale mund të shfaqet te këto kompani, qoftë si e plotë apo në disa segmente të veprimtarisë së tyre”, thotë Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore./REL/