Kosova i është bashkuar sërish shteteve të perëndimit për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë prej kur ka filluar lufta në Ukrainë.
Kjo u bë sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në kuadër të pikës “Shqyrtimi i propozim vendimit për ndryshimin e vendimit tq qeverisë numër 0/64 të datës 25 shkurt 2022 për zbatimin të vendimit të BE-së dhe ShBA-së për vendosje të sanksioneve ndaj federatës ruse dhe të Bjellorusisë”.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova i bashkohet pakos së 11-të të sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së që u vendosën më 23 qershori të këtij viti.
“Kështu u zbatuan masa të reja kufizuese ndaj Rusisë. Pako e rënë dakord përfshin këto masa: Forcimin e bashkëpunimit dy palësh dhe shumë palësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve”.
“Ndalimin e tranzitit të mallrave përmes Rusisë, shtrëngimin e kufizimeve të eksportit, vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj 71 individëve dhe 33 subjekteve, dhe Grupit Wagner”, ka thënë Gërvalla.
Kabineti qeveritar votoi pro kësaj pike./Klankosova.tv.