LajmeRajon

Kurti për kushtet e Bislimit për BE-në: Është rend logjik i gjërave, s’është kushtëzim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar “kushtet” e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për Bashkimin Evropian lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri, ku u shpreh se kësaj duhet t’i paraprijë heqja e masave ndëshkuese.

Kurti pohoi se ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ekziston një dakordim për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës.

I pari i ekzekutivit u shpreh se marrëveshja mes BE-së dhe Kosovës duhet të zbatohet. Lidhur me masat e BE-së, Kurti tha se nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por për “rend logjik” të gjërave.

“Së pari duhet ta keni parasysh që është bërë një dakordim ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi që është përgjegjës për integrimet evropiane, dialogun dhe zhvillimin me emisarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak lidhur me atë se si duhet zbatuar qëndrimi i 27 vendeve anëtare të BE-së i datës 3 qershor. Ne kemi një dakordim, shtetin e Kosovës e përfaqëson qeveria e Republikës, që ka dërguar zv.kryeministrin Besnik Bislimi, BE-në e zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borrell”, tha Kurti.

“Ai e ka dërguar Lajçak dhe është arritur dakordimi, pra se si duhet të zbatohen kriteret e qëndrimit të BE-së janë takuar këta dy dhe kanë arritur një marrëveshje dhe kjo marrëveshje duhet zbatuar, kemi dakordim midis Bislimit dhe Lajçakut kjo duhet zbatuar dhe kjo ka të bëjë me deeskalimin dhe nuk besoj se ndokush pret se pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri. Por natyrisht që ne vazhdojmë punën edhe më tutje, ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës”.

“Masat që janë marrë ndaj neve e që janë quajtur të përkohshme e të kthyeshme, pra reversibile, natyrisht presim të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodh paraprakisht. Nuk po bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet të ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin i realizuar në Bratisllavë që e krijon normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”. 

Show More

Related Articles

Back to top button