Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj është shkarkuar ditën e sotme nga detyra pas mbledhjes së Qeverisë.
Lajmi është bërë me dije nga burime ekskluzive për Top Channel, pak para mbledhjes të Asamblesë së PS, ndërsa ende nuk dihen arsyet dhe kush do ta zëvendësojë në këtë post.
Burime nga PS thanë se nuk përjashtohet mundësia që prej kësaj asambleje kryesocialisti Rama të bëjë disa ndryshime edhe sa i përket drejtuesve politik në disa qarqe.
Kujtojmë se nga nga Asambleja e Dhjetorit të vitit 2018, Rama ndryshoi pothuajse gjysmën e qeverisë siç ishin ministrat Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri dhe Lindita Nikolla.
Ibrahimaj mori detyrën si ministre e Financave dhe Ekonomisë në shtator të vitit 2021.
Në vitin 2019 deri në vitin 2021 ajo ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Në periudhën 2016-2019 ajo ishte në krye të Institutit të Statistikave dhe në 2015-2016 koordinatore për Çështjet Financiare dhe Ekonomike në Kryeministri.
Në periudhën 2011-2015 ajo ka punuar si ekonomiste pranë Bankës së Shqipërisë. Ibrahimaj është diplomuar për Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin Bocconi të Milanos, ku ka përfunduar edhe studimet në nivelin master. Në vitin 2015, ajo ka mbrojtur Doktoraturën për Menaxhim të Bankave dhe Financave në Universitetin e Romës, Tor Vergata.
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet të mblidhet sot në orën 17:30.
Në fjalën që do të mbajë Rama, fokusi do të jetë përgjegjësia që lind prej fitores së thellë në lokalet e 14 majit.
Po ashtu me gjasë edhe të vendosë se kush do ta drejtojë grupin parlamentar të PS-së, pas emërimit si ministër i Punëve të Brendshme të Taulant Ballës.
Kryeministri Edi Rama planifikon në datat 28-29 Korrik një takim dy ditor informal pune, me të gjithë ministrat, i cili mund të mbahet në Tepelenë.