Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Open” u shpreh se Dubai është kthyer në një ‘parajsë’ për kriminelë nga Shqipëria.
“Dubai është kthyer në një parajsë për kriminelë nga Shqipëria dhe jo vetëm. Bosët shqiptarë të krimit e kanë kuptuar se atje mund të jenë kundërshtarë të përbetuar dhe armiq të bandave rivale”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.
Nga ana e tij gazetari Jul Kasapi theksoi: Nuk ka shqiptarë që shkojnë në Dubai për të jetuar, arsyet mund të jenë parajsa ligjore dhe parajsa fiskale. Në Dubai nuk të kërkon askush në llogari se si i ke bërë paratë. Pra parajsa e investimit në Dubai ka bërë që shumica e krerëve të jenë atje. Në vitin 2020 pati një rrjedhje informacionesh dhe flitej për tregun imobilar atje.
Gjatë bisedës në studion e ‘Open’, ish-prokurori Eugen Beci u ndal tek ekstradimet duke sqaruar se kur nuk ka një marrëveshje apo një bazë ligjore, nuk mundet Prokuroria që të kërkojë ekstradime.
“Kur marrëveshja nuk ekziston nuk mundet Prokuroria të kërkojë ekstradime. Dhe gjithashtu Dubai nuk ka interes sepse kanë arsyet e tyre. Ligjet e ashpra atje bëjnë që grupet kriminale të kenë një paqe të përkohshme”, tha ai.
Ndërsa eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa po ashtu ritheksoi se Dubai ka favorizuar grupet kriminale për shkak të politikave financiare që ka.
“Dubai i ka favorizuar grupet për shkak të politikave financiare që ka. Grupet kriminale kanë gjetur hapësira pasi paraja e tyre që do të hidhet për të bërë investime nuk kërkohet se nga ku e ka origjinën”, tha ndër të tjera Softja.