Furnizuesit dhe tregtarët nga Maqedonia e Veriut të energjisë elektrike do të mund të tregtojnë, por edhe të furnizojnë përdoruesit në tregun kosovar, ndërsa të njëjtën mundësi do ta kenë edhe tregtarët dhe furnizuesit kosovarë që kanë licencë. Kjo është bërë e mundur me Memorandumin e lidhur nga Komisioni rregullator për energji dhe shërbime ujore (KRRE) dhe Zyra e rregullatorit të energjisë nga Republika e Kosovës – ZRRE (Energy Regulatory Office).
Memorandumi, me të cilin njihen në mënyrë reciproke licencat e lëshuara për furnizim/tregti me energji elektrike është nënshkruar sot në Prishtinë nga njerëzit e parë të organeve rregullatore, Marko Bislimoski dhe Imer Fejzullahu, në prani të ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanoli.
Kryetari i KRRE-së, Bislimoski, siç njoftojnë nga KRRE, tha se integrimi i tregjeve rajonale është një hap që çon në një treg të vetëm të energjisë elektrike të Bashkimit Evropian.
“Marrëveshja do të përshpejtojë tranzicionin energjetik dhe do të jetë motiv për investime të reja në burimet ripërtëritëse, sepse energjia e prodhuar elektrike në vend do të mund të dërgohet menjëherë te përdoruesit në Kosovë. Dhe ky është në fakt një mekanizëm reciprok, po ashtu energjia elektrike e prodhuar në Kosovë do të mund të ofrohet nga tregtarët e licencuar për konsumatorët në vendin tonë”, deklaroi Bislimoski pas nënshkrimit të memorandumit.
Në energjetikë, shtoi ai, nuk ka asnjë pasqyrë të vogël apo të madhe – ka vetëm vendosje strategjike dhe realizim të qëllimeve që do të sjellin siguri, stabilitet, ulje të varësisë energjetike dhe rritje të prodhimit.
“Dhe është pikërisht fokusi ynë në tranzicionin dhe investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë që e përgjysmuan importin e energjisë elektrike, i cili para krizës ishte 30 për qind, ndërsa tani është 15 për qind”, tha Bislimoski.
Sipas kryetarit të Organit rregullator të energjisë së Kosovës, Fejzullahu, marrëveshja në praktikë nënkupton uljen e barrierave administrative për furnizuesit/tregtarët e licencuar të energjisë elektrike.
“Përmes kësaj marrëveshje, i hapim dyert për mundësi të reja për furnizuesit dhe tregtarët e energjisë, si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut duke reduktuar barrierat administrative për tregtarët për të hyrë në këto dy tregje”, tha Fejzulahu.