Sindikata e Bashkuar e Arsimit është deklaruar në mbështetje të medieve dhe fjalës së lirë
Përmes një komunikate për medie, SBASHK ka thënë se sulmet e Qeverisë ndaj gazetarëve dhe medieve ka kohë që kanë nisur dhe ishin të orkestruara nga zyrtarë të lartë të institucioneve e të përforcuara nga fyerjet, sharjet e linçimet nga armata në rrjete sociale.
“Kjo bëhej për të krijuar frikë e për të mbyllur sytë, veshët e gojën e atyre që shohin realitetin, e që është i hidhur. Ky sulm kulmoi tani me Klan Kosova dhe fjala e lirë e informimi i saktë po vihet në rrezik. Ky është alarm se fati i kësaj medie mund t’i pres edhe mediumet tjera dhe nëse ndodh atëherë në Kosovë do të kemi errësirë dhe Qeveria do të bëj çfarë t’i teket sepse e vërteta do të mungojë në publik”, thuhet në reagim.
Sipas njoftimit, SBASHK-u me korrektësinë e treguar ndër vite ka dëshmuar respektin meritor që ka ndaj medieve dhe është munduar të jetë plotësisht e gjithmonë transparentë.
“Nuk ka ndodhur as edhe një herë që t’i ikim pyetjeve dhe kërkesave të medieve për deklarata e prononcime për të gjitha çështjet, që ta kanë menduar se janë aktuale e të rëndësishme për publikun. SBASHK-u është në mbështetje të gazetarëve e fjalës së lirë dhe reagon ashpër kundër sulmeve të Qeverisë ndaj medieve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Reagimi i SBASHK-ut ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e licencës së biznesit ndaj mediumit Klan Kosova për shkak të disa gabimeve në regjistrimin e biznesit.