Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.B., pasi kanosi deputeten Ariana Musliu-Shoshi.
Siç thuhet në njoftimin e prokurorisë, i pandehuri e kishte kërcënuar me jetë deputeten e PDK-së.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 2 maj për ta frikësuar, “e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën A.M-SH., deputete e Kuvendit të Kosovës, për shkak të detyrës së saj, ashtu që i pandehuri nga një profil në rrjetin social facebook i drejtohet: ‘…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…’, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes”.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe të shpallet fajtor.