Është rritur në 44 numri i të vrarëve nga një sulm vetëvrasës me bombë gjatë një tubimi politik në Pakistan të dielën.
Sulmi, në të cilin raportohet se po ashtu u lënduan 200 persona, ndodhi në rrethinën veriperëndimore të Pakistanit, Bajur, pranë kufirit me Afganistanin.
Zyrtarët po njoftonin për mbërritjen e Abdul Rasheed, liderit të partisë islamike Jamiat Ulema, kur bomba shpërtheu duke e shkaktuar njërin prej sulmeve më gjakderdhëse në vitet e fundit në Pakistan.
Autoritetet e kanë bllokuar zonën dhe kanë paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të rritet.
Policia në Bajur tha se sulmi u krye nga një person, i cili e shpërtheu jelekun e vet të mbushur me eksplozivë pranë skenës ku ishin ulur disa liderë të lartë të partisë.
Hetimet e para sugjerojnë se grupi Shteti Islamik – i cili vepron në Afganistan dhe është armik i talibanëve afganë – mund të jetë përgjegjës për sulmin, sipas policisë lokale.
“Kishte pluhur dhe tym përreth, unë isha nën disa persona të lënduar, nga ku mezi u çova në këmbë dhe për cfarë? Për të parë rrëmujë dhe gjymtyrë të prera”, tha Adam Khan, 45 vjeç, i cili ishte rrëzuar në tokë nga shpërthimi që ndodhi të dielën.
Zyrtarët lokalë kanë thënë se lideri rajonal i partisë JUI-F Maulana Ziaullah, është vrarë në shpërthim.
Talibanët e Pakistanit, apo siç njihen TTP, thanë në një komunikatë për Associated Press se sulmi kishte synim t’i nxiste islamikët kundër njëri-tjetrit.
Zabiullah Mujahid, zëdhënës i TTP-së, tha në rrjetin social Twitter se “krimet e tilla nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë”.
Marrja e pushtetit nga talibanët afganë në Afganistan në gusht të vitit 2021 e i ka dhënë guxim TTP-së. Ky grup i ka dhënë fund në mënyrë të njëanshme marrëveshjes për armëpushim me Qeverinë e Pakistanit në nëntor, dhe që prej atëherë i ka rritur sulmet nëpër këtë vend./Rel