LajmeRajon

Kosovë, jep dorëheqje zëvendësministrja e arsimit

Ka dhënë dorëheqje nga posti i saj si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës, Edona Maloku Bërdyna.

Ajo përmes një postimi në Facbook ka njoftuar se arsyet për dorëheqje janë personale.

“Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti.
Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim. “, ka shkruar Maloku Bërdyna në Facebook.

Më tej ajo ka thënë se do t’i kthehet punës së saj akademike.

“Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare.
U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë.”, ka shkruar ajo.

Show More

Related Articles

Back to top button