Gazetarët kanë bojkotuar konferencën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, pas revokimit të certifikatës biznesore të “Klan Kosovës”.
Më 14 qershor MINT-i kishte ngritur i kallëzimi penal ndaj shoqërisë tregtare, “Klan Kosova”. Kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka anuluar certifikatën e biznesit të “Klan Kosovës”, por më 21 qershor, ARBK-ja e kishte shfuqizuar vendimin, raporton “EO”. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja e kishte anuluar vendimin e 21 qershorit.
Pas ankesës së “Klan Kosovës”, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, ka vendosur më 28 korrik se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të ‘Klan Kosovës’”
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.