GostivarLajme

Vazhdohet edhe për katër vite bashkëpunimi mes Democracy Lab dhe Komunës së Gostivarit për Qendrën Rinore dhe të Komunitetit në Gostivar

Sot, më datë 30 Qershor 2022 është nënshkruar Memorandumi për Bashkëpunim ndërmjet Shoqatës për avancimin e demokracisë – Democracy Lab dhe Komunës së Gostivarit në kuadër të projektit “Qendra Rinore dhe e Komunitetit” – YCC Gostivar. Ky Memorandum Bashkëpunimi parasheh vazhdimin e mbështetjes financiare nga Komuna e Gostivarit për edhe për 4 vitet e ardhshme. Memorandumi u nënshkrua nga kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Arben Taravari dhe drejtori i Democracy Lab, z. Sefer Selimi.

E themeluar në shtator 2018 në partneritet ndërmjet Democracy Lab, Komunës së Gostivarit, Ambasadës së ShBA-së në Maqedoninë e Veriut dhe bizneseve lokale, Qendra Rinore dhe e Komunitetit (YCC) në Gostivar është dëshmuar si një model i suksesshëm që u ka ofruar të rinjve dhe komunitetit në përgjithësi një alternativë pozitive dhe një burim kuptimplotë për avancimin e angazhimit qytetar dhe të të rinjve, fuqizimin e shoqërisë civile lokale dhe rritjen e qëndrueshmërisë së komunitetit. Në këto gati 4 vite të funksionimit të saj, YCC ka pasur mbi 14,000 vizitorë dhe ka organizuar më shumë se 350 ngjarje të ndryshme.

Për të nxitur dhe rritur më tej punën e saj, staffi i YCC-së dhe i Democracy Lab planifikon të ridizajnojë programet e saj dhe të angazhojë edhe më shumë të rinj nga Gostivari dhe zonat përreth. Programet do të modifikohen dhe avancohen për të adresuar kontekstin e ri dhe sfidat me të cilat po përballet sot rinia e Gostivarit.

Që nga themelimi i saj, YCC ka qenë një vend i frytshëm për ndryshime pozitive sociale dhe angazhim aktiv qytetar të të rinjve vendas dhe komunitetit në përgjithësi. YCC shërben si një hapësirë e sigurt dhe e hapur për të gjithë banorët e Gostivarit. Ne vazhdojmë të ofrojmë programe të arsimit joformal për të rinjtë e Gostivarit dhe hapësira jonë është në dispozicion për çdo anëtar të komunitetit që dëshiron të sjellë ndryshime pozitive në Gostivar. Ne synojmë të bashkojmë anëtarët e komunitetit, të festojmë kulturat tona të pasura dhe të ndërtojmë një komunitet më inkluziv.

Roli që kanë qendrat rinore në zhvillimin e të rinjve është shumë i rëndësishëm dhe përbëhet nga disa elementë që i ndihmojnë ata të kuptojnë të drejtat dhe nevojat e tyre. Roli kryesor i qendrave rinore është të ndihmojë zhvillimin personal dhe social të të rinjve dhe të zhvillojë aftësi dhe tipare të tjera të karakterit të tyre për t’u përballur me botën reale dhe jetën e përditshme në të cilën ata shoqërohen, krijojnë, komunikojnë dhe veprojnë.

Nevoja për qendra të qëndrueshme rinore është thelbësore për zhvillimin personal dhe social të të rinjve si dhe për zhvillimin e shoqërisë sonë dhe janë të rëndësishme për të pasur një qasje sistematike në punën me të rinjtë.

Show More

Related Articles

Back to top button