Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqën dhe 15 vjet burgim Arbër Sejdiun, për vrasjen e Marigona Osmanit, raporton Ekonomia Online.
Para se të fillojë seanca gjyqësore, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar duke kërkuar ndëshkim maksimal për vrasësit e saj.
Përndryshe në seancën e fundit, Krivaqa shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur duke pohuar se do të donte ta kthente kohën pas.
Në anën tjetër, familja e viktimës ka kërkuar burg të përjetshëm për të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimit, Krivaqa dhe Sejdiu e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.