Senad Asani në vend të Bekim Çelebiut. Ndërmarrja publike “Parkingjet publike dhe Gjelbërimi” e Gostivarit nga sot ka drejtor të ri. Pranim-dorëzimi i detyrës ka ndodhur në prezencë të kryetarit Arben Taravari. Asani i cili e zëvendëson Çelebiun, me profesion është jurist, ndërsa që të dy me prejardhje janë nga fshati Debresh. Pozita jo zyrtarisht ishte rezervuar pë kuadër nga fshati Çajlë, gjë të cilën nuk e mohon edh ekryetari Taravari. Ai tha se Asani do të jetë përkohësisht drejtor në “Parkingjet publike dhe Gjelbërimi”.
“Ndryshime vazhdimisht do të kemi dhe unë në parim kam thënë se çdo drejtor duhet ta ketë një mandat mjaft për ta treguar kreativitetin e tij dhe nuk është ndonjë ndryshim i papritshëm pasi kishim një marrëveshje me derjtort që pasi mbarojnë katër vite, vetë të tërhiqen dhe të zgjidhim një kuadër të ri si udhëheqës. Kishim plan tjetër, po ja na erdhi kështu situata dhe tash Senad Asani do të jetë do të jetë një periudhë të shkurët në atë ndërmarrje, do të jetë një zgjedhje e përkohshme. Bekmi gjithashtu do të jetë si përkrahës dhe si këshilltar i atij për të gjitha aktivitetet që I kemi në Komunën e Gostivarit, konkretisht në ndërmarrjen ‘Parkingjet publike dhe Gjelbërimi’”, deklaroi kryetari Arben Taravari.
Me marrjen e mandatit të dytë, Taravari i paralajmëroi këto ndryshime, ndërsa u fillua me ndërmarrje “Komunalec”, ku në vend të Isak Lazamit nga Balindolli u emërua Faton Bilalli nga fshati Çegran. U ndërrua edhe sekretari komunal, ku në vend të Nazmi Jusufit erdhi Zoran Krajkoski. I pyetur nëse do të vazhdojnë ndryshimet edhe nëpër institucionet tjera lokale, konkretisht me drejtorët e shkollave të mesme dhe fillore, Taravari nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.
“Vazhdimisht do të kemi freski në të gjitha institucionet të cilat i udhëheq Komuna e Gostivarit”, deklaroi shkurt kryetari Taravari.
Ndryshe, pranim-dorëzimi i sotëm mes Çelebiut dhe Asanit, Taravari tha se ka kaluar me një ceremoni modeste, ndërsa e ka falenderuar drejtorin e deritanishëm Çelebiu e për punën e deritanishme, i cili tha ai, e ka ndryshuar hartën hortikulturore të Gostivarit me dhjetëra parqe të reja dhe mijëra pemë dhe lule të mbjellura.