Gjykata e Tiranës ditën e sotme ka vendosur arrest me burg për Shefin e Seksionit të Sigurisë Gramoz Mullai, Specialistin për Zbulimin Rustem Koçi dhe Specialistin e sigurisë Gentian Zhurda.
TIRANË- Tre anëtarë të ushtrisë në repartin e Zall Herrit janë lënë në burg ditën e sotme. Gjykata e Tiranës ditën e sotme ka vendosur arrest me burg për Shefin e Seksionit të Sigurisë Gramoz Mullai, Specialistin për Zbulimin Rustem Koçi dhe Specialistin e sigurisë Gentian Zhurda.
Ndërkohë që këta para gjykatës kanë deklaruar se është e pamundur që të kontrollohen 140 hektarë tokë, pasi është një hapësirë shumë e madhe. Po ashtu ata kanë theksuar se kishin lajmëruar eprorët e tyre për territorin e thyer dhe për pamundësinë për ta kontrolluar.
“E pamundur për t’u kontrolluar 140 hektarë tokë”, thanë ata.
Dy ditë më parë 125 bimë kanabisi u gjetën në tokën e repartit ushtarak të Zall Herrit në Tiranë. Policia arrestoi Shefin e Seksionit të Sigurisë Gramoz Mullai, Specialistin për Zbulimin Rustem Koçi dhe Specialistin e sigurisë Gentian Zhurda. Ndërkohë që u pezulluan nga puna hde ndodhen nën hetim komandanti i repartit, një zëvendëskomandat, një specialist dhe një magazinier.