BotaLajme

Mbyllet hapësira ajrore, protesta përkrahëse për grushtin e shtetit në Niger

Organizatorët e grusht-shtetit në Niger mbyllën hapësirën ajrore si përgjigje ndaj kërcënimit të bllokut rajonal të shteteve të Afrikës Perëndimore për ndërhyrje ushtarake dhe refuzuan të rikthejnë në pushtet presidentin e vendit të rrëzuar javën e kaluar.

Mijëra përkrahës të grusht-shtetit ushtarak në Niger protestuan kundër afatit të vendosur nga blloku rajonal i shteteve të Afrikës Perëndimore për të liruar dhe rikthyer në pushtet, zotin Mohamed Bazoum, presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Nigerit.

Protestuesit u mblodhën në stadiumin e kryeqytetit Niamej për të shprehur përkrahjen për udhëheqësit e grusht-shtetit.

Ky është grusht shteti i shtatë në tre vitet e fundit në këtë pjesë të Afrikës, një nga rajonet më të varfëra në botë. Nigeri është i pasur me uranium dhe naftë dhe luan rol qenësor në betejën kundër militantëve islamistë dhe ka një rëndësi të veçantë për SHBA-të, Evropën, Kinën dhe Rusinë.

Blloku rajonal i shteteve të Afrikës Perëndimore, i përbërë nga 15 shtete, i njohur si ECOWAS, ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake. Por, Senati i Nigerisë fqinje e ka kundërshtuar planin, duke i bërë thirrje Presidentit të Nigerisë, që njëherit është udhëheqësi i tanishëm i bllokut, të shqyrtojë alternativa të tjera veç përdorimit të forcës.

ECOWAS mund të vazhdojë me planin, meqë vendimet përfundimtare në bllokun rajonal merren me miratimin e shteteve anëtare. Por, paralajmërimi i Senatit nigerian një ditë para skadimit të afatit, ngre dyshime për fatin e ndërhyrjes.

Pjesëmarrësit e tubimit në Niger, brohoritën në përkrahje të udhëheqësve të grusht-shtetit dhe kundërshtuan kërcënimin e shteteve fqinje për indërhyrje, si dhe praninë e gjatë franceze në rajon. Disa valvitën flamuj rus. Një gjeli, të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit francez, iu pre koka, duke nxitur brohoritje nga turma.

Autoritetet franceze deklaruan të shtunën se përkrahin përpjekjet rajonale kundër grusht-shtetit, por nuk thanë nëse bëhet fjalë për ndihmë ushtarake.

“Ka pasur sulme gjithandej në rajon. Por ECOWAS nuk ka ndërhyrë, ndërkohë që tani po vjen të na shantazhojë,” tha një përkrahës i grusht-shtetit.

Grusht-shteti i 26 korrikut në Niger vështirëson edhe më shumë situatën e ndërlikuar në rajonin e Sahelit, që po përballet me grusht-shtetee ushtarak, zgjerim të ekstremizmit islamik dhe kalim të disa shteteve në anën e Rusisë dhe grupit të saj mercenar Wagner.

Presidenti i Nigerit po mbahet peng nga organizatorët e puçit.

Show More

Related Articles

Back to top button