BotaLajme

Gjykatësja thërret palët për të diskutuar mbrojtjen e të dhënave në çështjen ndaj Trump

Gjykatësja federale në çështjen e zotit Trump, ku akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezulatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ka urdhëruar avokatët e tij dhe prokurorët federalë që të paraqiten në gjykatë të premten për një seancë dëgjimore lidhur me përcaktimin se si mund të përdoren dhe ndahen të dhënat e çështjes në fjalë.

Gjykatësja Tanya Chutkan vendosi që seanca të zhvillohej të premten në orën 10 të mëngjesit, menjëherë pas përplasjeve midis palës mbrojtëse dhe prokurorëve lidhur me datën e caktimit të seancës.

Avokatët e zotit Trump kishin kërkuar shtyrjen e seancës deri në fillim të javës së ardhshme, ndërsa akuza tha se ishte e gatshme gjatë gjithë javës.

Seanca e së premtes vjen pasi ekipi mbrojtës i zotit Trump kundërshtoi të hënën një kërkesë nga prokurorët, që gjykatësja Chutkan të nxjerrë një urdhër për të siguruar që provat konfidenciale të mos bëhen publike nga zoti Trump, duke sugjeruar se ai mund ta përdorte informacionin për të frikësuar dëshmitarët.

Zoti Trump ka thënë se është i pafajshëm dhe i ka quajtur akuzat të motivuara politikisht.

Avokatët e zotit Trump thanë se kufizimet do të cenonin të drejtën e tij për lirinë e fjalës, e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump nuk pritet të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit të premten./VOA

Show More

Related Articles

Back to top button