BotaLajme

Lufta në Ukrainë dhe gazi në Ballkanin Perëndimor

Pushtimi ushtarak brutal dhe i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë, ka nxitur ndërmarrjen e veprimeve të shpejta për ta reduktuar varësinë e Evropës nga nafta, gazi, qymyri dhe energjia bërthamore ruse. Ndërprerja e furnizimit me gaz për disa vende evropiane nga ana e Rusisë – në fillim Polonia dhe Bullgaria, e ndjekur nga Finlanda, Holanda dhe Danimarka – dhe reduktimet nga Gazprom të furnizimeve me gaz të Italisë (minus 15 për qind) dhe Gjermanisë (minus 40 për qind përmes Nord Stream), e kanë forcuar emergjencën e largimit nga energjia ruse dhe diversifikimit të furnizimeve për kontinentin.

Mbështetja e Perëndimit për Korridorin Jugor dhe Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP) ka qenë prej kohësh një element i rëndësishëm i përpjekjeve të Evropës për diversifikimin e furnizimit me gaz. Edhe pse një konsumator shumë i vogël i gazit natyror rus, Ballkani Perëndimor është një zonë në të cilën Rusia është përpjekur ta kundërshtojë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së, si dhe përpjekjet perëndimore për diversifikimin e burimit të importit.

Ndaj, Perëndimi duhet të ketë një qëndrim të fortë dhe mbështetës në këtë krah të rëndësishëm jugor të NATO-s. Pasi edhe gjatë luftës në Ukrainë, Rusia i ka vazhduar përpjekjet e saj për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor duke përdorur aleatët e saj pro-rusë, sidomos në Serbi dhe Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, qeveritë e të cilave nuk i janë bashkuar procesit të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Kompania ruse “Gazprom” vazhdon të eksportojë gaz natyror në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë përmes Bullgarisë. Si pjesë e strategjisë së saj për të anashkaluar Ukrainën, dhe për të ndërprerë përdorimin e Gazsjellësit Trans-Ballkanik përmes Ukrainës dhe Moldavisë, Rusia ndërtoi në bashkëpunim me Turqinë për gazsjellësin me dy linja “Turk Stream”, me njërën nga linjat me kapacitet 15.75 miliardë metër kub në vit që kalon në Bullgari dhe më pas vazhdon në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Hungari.

“Gazprom” nisi dërgimin e gazit përmes “TurkStream” në Bullgari, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë që në fillim të janarit 2020. Edhe Hungaria po importon gaz rus nga Serbia përmes një linje me një kapacitet 8.5 miliardë metër kub në vit, raporton abcnews.al.

Show More

Related Articles

Back to top button