Për rreth 30 qytetarë afganë që ikën nga pushtimi taliban, rruga drejt zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është bllokuar në kampin Liya, brenda bazës ushtarake amerikane, Bondsteel, në Ferizaj. Disa prej tyre nuk kanë kaluar verifikimet e nevojshme të sigurisë, e të tjerët janë ende në proces.
Nga Departamenti i Shtetit thonë se janë duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejt për ta, ndërkohë, Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të vazhdojë qëndrimin e tyre në Kosovë edhe për një vit.
Në gusht të vitit 2021, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar deri 2.000 afganë që kishin punuar me forcat e huaja në 20 vjetët e fundit, pasi talibanët morën Kabulin në mes të gushtit. Afganët u strehuan në dy lokacione shumë pranë njëra-tjetrës në kampin e kompanisë Bechtel-Enka, si dhe kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel në Ferizaj.
Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht të vitit 2021.
Sipas Qeverisë së Kosovës, rreth 1.900 afganë janë strehuar në Kosovë që nga ajo kohë. Shumica prej tyre janë zhvendosur në SHBA, disave u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, për shkak se ata nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit. Një numër prej të tyre janë zhvendosur në ndonjë shtet të tretë.
Në Bondsteel, sipas Qeverisë, ende gjenden rreth 30 afganë. Ata nuk lejohen të dalin nga kampi. Qëndrimi i tyre në Kosovë u tha se do të ishte shumë i shkurtër, më së shumti një vit, derisa, siç kishte deklaruar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, “t’iu rregulloheshin dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara”.
Por, pas kalimit të vitit të parë, Kosova vendosi ta zgjasë marrëveshjen edhe për një vit tjetër, deri në fund të muajit gusht të këtij viti. Ky afat mund të zgjatet edhe për një vit tjetër, thonë në Qeveri.
“Pa dyshim se Republika e Kosovës gjithmonë është e gatshme që t’u shërbejë si partnere Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo mundësi që i jepet, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e zgjatjes së afatit të marrëveshjes për strehimin e qytetarëve afganë, nëse një gjë e tillë paraqitet si nevojë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Sipas tij, asnjë prej tyre nuk ka paraqitur kërkesë për qëndrim apo azil në Kosovë. Qasja e Radios Evropa e Lirë në këtë kamp nuk është mundësuar.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se “për arsye sigurie dhe privatësie, qasja në bazë është e kufizuar”. Ai shtoi se janë duke punuar për të gjetur një “zgjidhje alternative dhe të qëndrueshme bazuar në një sërë faktorësh, duke përfshirë preferencat e tyre, familjen, punësimin dhe lidhjet e tjera”.
Ndërsa për afganët, të cilëve u është refuzuar zhvendosja në SHBA për shkak të moskalimit të verifikimit të sigurisë, DASH-i është në kërkim të shteteve që mund t’i pranojnë ata.
“Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të identifikuar vendet që do t’i pranojnë afganët që nuk mund të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi i DASH-it.
Kush ishin dhe ku shkuan afganët pas Kosovës?
Disa nga afganët që qëndruan në faza të ndryshme në Kosovë përfshinin profile të larta publike si ish-udhëheqës të Agjencisë së Inteligjencës afgane dhe ushtarakë të dekoruar.
Mohammad Arif Sarwari, ish-shef i inteligjencës afgane ishte strehuar në Kosovë dhe pas disa muaj qëndrimi ai arriti të negocionte largimin nga kampi Liya për në vend tjetër.
Vitin e kaluar, Sarwari kishte ndarë me mediat amerikane disa fotografi të një proteste që afganët kishin organizuar në kampin Liya, për shkak të kushteve jo të mira dhe ngadalësisë së institucioneve amerikane në procesin e verifikimit.
Sarwari është larguar nga Kosova në fillim të vitit të kaluar. Avokatja Julie Sirrs që po asiston Sarwarin në procesin e zhvendosjes në SHBA, tha për REL-in se ai nuk dëshiron të ndajë informacione rreth situatës në të cilën gjendet.
Më herët, Sirrs kishte thënë për REL-in se Departamenti Amerikan i Shtetit do të duhej të përshpejtonte procesin e verifikimit të afganëve.
Zyrtarisht DASH-i tha se më shumë se 1000 afganë që qëndruan në kampet Liya dhe Bechtel Enka, kaluan verifikimet e sigurisë dhe u transferuan në SHBA.
Aleanca e NATO-s njoftoi në prill të vitit të kaluar se rreth 90 afganë u larguan nga kampet Liya dhe Bechtel Enka dhe se u zhvendosën në Maqedoni të Veriut dhe Lituani.
Disa afganë të tjerë, pasi iu është refuzuar zhvendosja në SHBA, janë kthyer në Dubai prej nga ishin transferuar në Kosovë. Në disa raste, afganët janë kthyer në shtetin e tyre, Afganistan.
Departamenti i Amerikan i Shtetit tha për REL-in, se nuk kërkon e as detyron askënd të kthehet në Afganistan, por do të asistojë ata që bëjnë kërkesë të kthehen vullnetarisht.
“Shtetet e Bashkuara do të lehtësonin riatdhesimin vetëm nëse kërkohet nga individi në fjalë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë kërkuar – dhe nuk do të kërkojnë – nga askush që të kthehet në Afganistan”, tha zëdhënës i DASH-it për REL-in. Në shtator të vitit të kaluar zyrtarët amerikanë kishin filluar negociatat me shtetin e Surinamit për t’i dërguar afganët që nuk kalojnë verifikimin për zhvendosje në SHBA.